Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka refuzuar kërkesën e SPAK për pushimin e hetimeve ndaj ish-kryetarit të Komisioni i Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyraj, duke urdhëruar kthimin e dosjes për hetime të mëtejshme.
Vendimi i gjykatës i jep Prokurorisë së Posaçme 45 ditë kohë për të kryer veprime shtesë hetimore dhe për të plotësuar dosjen me një akt-ekspertim lidhur me procedurën nën hetim.
Myzyraj dyshohet për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.
Hetimet lidhen me një tender me vlerë rreth 2.2 miliardë lekë të vjetra për mirëmbajtjen rutinë të segmentit rrugor nga Ura e Fanit deri në Urën e Repsit.
Sipas SPAK, gjatë shqyrtimit të ankesës për këtë procedurë prokurimi, Komisioni i Prokurimeve Publike ka favorizuar në mënyrë të kundërligjshme një bashkim operatorësh ekonomikë, të cilët dyshohet se kanë paraqitur dokumente të falsifikuara.
Më herët, me kërkesë të SPAK, ndaj Jonaid Myzyrajt janë vendosur masat “pezullim nga detyra” dhe “detyrim paraqitje”.
Në këtë procedim penal janë marrë të pandehur edhe disa zyrtarë dhe persona të tjerë të dyshuar për shkelje në tendera publikë dhe falsifikim dokumentesh.
