Kryetari i Partia Demokratike e Shqipërisë, Sali Berisha, ka akuzuar mediat kombëtare për censurë ndaj opozitës dhe favorizim të qeverisë në edicionet informative televizive.
Gjatë një konference për mediat, Berisha publikoi të dhëna nga monitorimi i realizuar nga zyra e shtypit e PD-së për katër televizione kombëtare, duke pretenduar se hapësira mediatike për qeverinë është disa herë më e madhe sesa ajo për opozitën.
“Sipas monitorimit, për Partinë Demokratike janë dhënë rreth 1 orë e 47 minuta, ndërsa për qeverinë mbi 6 orë e 5 minuta”, deklaroi Sali Berisha.
Ai shtoi se në disa televizione raporti arrin deri në 10 me 1 në favor të qeverisë, duke e cilësuar situatën si karakteristike për një “regjim autoritar”.
Kreu i opozitës kritikoi ashpër televizionet kombëtare, të cilat i quajti “mamuthë mediatikë” që, sipas tij, financohen nga taksat e qytetarëve shqiptarë.
“Censura e opozitës është një nga aktet më të shëmtuara të narko-mafies qeveritare”, u shpreh Berisha.
Ai deklaroi gjithashtu se monitorimi i opozitës përfshin jo vetëm edicionet informative, por edhe debatet televizive, të cilat sipas tij dominohen nga sulme dhe deformim i realitetit ndaj opozitës.
Sali Berisha paralajmëroi se Partia Demokratike e Shqipërisë do të vijojë publikimin e të dhënave mbi raportimin mediatik dhe do të vazhdojë aksionin politik e protestat.
Në të njëjtën konferencë, ai foli edhe për procesin e riorganizimit të PD-së pas referendumit të 23 majit, duke deklaruar se partia do të kalojë në një “transformim të plotë” organizativ dhe politik.
