Kreu i Partia Demokratike, Sali Berisha, iu përgjigj kritikave të kryeministrit Edi Rama lidhur me përdorimin e flamujve të Gjermanisë gjatë protestës së opozitës.
Gjatë fjalës së mbajtur në “Foltore”, Berisha deklaroi se opozita respekton flamujt e vendeve mike dhe partnere, por theksoi se simboli kryesor i saj mbetet “vota e lirë”.
“Ne kemi respekt për flamujt e kombeve mike dhe partnere, por respektin më absolut, flamuri që ne vëmë krah flamurit kombëtar është ai i votës së lirë”, tha Sali Berisha.
Ai iu drejtua drejtpërdrejt Ramës, duke deklaruar se protesta dhe procesi i 23 majit treguan forcën e opozitës dhe të qytetarëve që, sipas tij, mbështesin demokracinë dhe zgjedhjet e lira.
“Rama mësoje mirë, ti dhe kushdo tjetër, se flamuri ynë është ai i votës së lirë. 23 maji e provoi qartë se cila është forca e njerëzve të lirë, e njerëzve që e duan Shqipërinë”, u shpreh lideri demokrat.
Deklaratat e Berishës vijnë në vijim të përplasjes politike mes mazhorancës dhe opozitës pas protestave dhe procesit të votimit brenda PD-së, ku ai u rizgjodh në krye të partisë.
