Kryetari i Partia Demokratike e Shqipërisë, Sali Berisha, ka lënë të hapur mundësinë për të qenë kandidat për kryeministër në zgjedhjet parlamentare të vitit 2029.
Gjatë një komunikimi me gazetarët, Berisha u pyet drejtpërdrejt nëse synon të kandidojë sërish për postin e kryeministrit në të ardhmen.
Në përgjigjen e tij, ai solli si shembull një mik të tij, të cilin tha se e kishte uruar kryeministër në moshën 95-vjeçare.
“Një mikun tim, mik të çmuar, e kam uruar kryeministër kur ishte 95 vjeç, dhe po të lexosh për këtë, ai drejtoi me sukses të plotë atë qeveri”, deklaroi Sali Berisha.
Më tej, kreu i demokratëve shtoi se vendimi për një kandidim të mundshëm do të varet nga mbështetja politike dhe nga rrethanat.
“Por a do të jem unë si ai, kjo varet nga i madhi Zot dhe demokratët”, tha ai.
Berisha komentoi edhe moshën e tij, duke u shprehur me humor se ndihet më i ri nga sa tregon mosha biologjike.
“Deri tani të garantoj se po ta pjesëtosh për dy moshën time, tregohet mosha reale”, u shpreh Sali Berisha.
