Pas protestave të studentëve shqiptarë, Hristijan Mickoski premton zgjidhje për çështjen e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës

Data

Kryeministri i Maqedonia e Veriut, Hristijan Mickoski, ka reaguar pas protestës së studentëve shqiptarë në Shkup, të cilët kërkuan që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe.

Gjatë një aktiviteti në kishën “Shën Sofia” në Ohër, Mickoski deklaroi se është i gatshëm të mbështesë çdo proces që lidhet me përmirësimin e arsimit dhe përdorimin e gjuhëve, por theksoi se debati duhet të zhvillohet “në prizmin e duhur” dhe në përputhje me Kushtetutën e vendit.

“Çdo komunitet duhet ta ketë të drejtën të përdorë dhe të përparojë gjuhën e tij, për sa kohë kjo mbetet brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore”, deklaroi ai.

Kryeministri maqedonas paralajmëroi gjithashtu kundër përdorimit politik të kësaj çështjeje, duke folur për rrezikun e “grackave nacionaliste”, që sipas tij mund të përdoren për interesa të ngushta politike apo personale.

Megjithatë, Mickoski premtoi se qeveria do të dalë shumë shpejt me një zgjidhje konkrete për këtë debat.

Deklaratat e tij vijnë pas protestës së 18 majit në Shkup, ku mijëra studentë shqiptarë kërkuan që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe, duke argumentuar se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve ua garanton këtë të drejtë në institucionet shtetërore.

Çështja ka nxitur debat të gjerë politik dhe publik në Maqedoninë e Veriut, ndërsa komuniteti shqiptar kërkon zbatim më të plotë të të drejtave gjuhësore në arsim dhe administratë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related