Shfaqja e rasteve të murtajës së bagëtive në zonën e Dajç ka ngritur alarmin edhe në Lezhë, ku autoritetet veterinare kanë shtuar kontrollet dhe masat parandaluese për të shmangur përhapjen e sëmundjes.
Në zonën e Zadrimës, e konsideruar me risk për shkak të afërsisë me vatrën e infeksionit në Shkodër, janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe dalje, ndërsa po monitorohen fermat blegtorale dhe lëvizja e kafshëve.
Përfaqësuesi i Autoritetit Veterinar në Lezhë, Ded Rama, u bëri thirrje fermerëve të shmangin tregun e Milot dhe të mos kryejnë transport të paautorizuar të bagëtive.
“Po bëjmë monitorime dhe kontrolle në akset rrugore, ferma dhe sidomos në zonat me risk si Dajçi dhe Zadrima, pasi vatra është afër në Shkodër dhe synojmë të shmangim depërtimin e sëmundjes. U bëjmë thirrje fermerëve të mos bëjnë lëvizje të paautorizuara të kafshëve dhe të shmangin tregun e Milotit, pasi bëhet burim infeksioni”, deklaroi ai.
Sipas autoriteteve veterinare, kufizimet janë të domosdoshme për të mbrojtur tufat dhe ekonominë blegtorale të zonës.
“Marrim mostra dhe i dërgojmë në ISUV. Fermerët duhet të na mirëkuptojnë, pasi këto masa janë të nevojshme për të parandaluar përhapjen e sëmundjes”, shtoi Ded Rama.
Ndërkohë, analizat e kryera në disa ferma të Qarkut të Lezhës për raste të dyshuara kanë rezultuar negative për murtajën e bagëtive.
