Trekëndëshi i Bermudës” Rama-Berisha-Meta jo vetëm që janë në pazar me njëri-tjetrin, por kur mblidhen bashkë duket se diçka po luajnë në kurriz të shqiptarëve. Këtë radhë janë bërë bashkë në një aleancë të re kundër Prokurorisë Speciale (SPAK-ut) dhe kundër Reformës Zgjedhore e asaj në Drejtësi, sepse vetëm kështu mund të vijojnë me pazaret e vjetra të bëra në kohë të reja. Ditën e djeshme në Kuvend u konstituua një komision me 6 anëtarë, qëllimi i të cilit do të jenë ligjet me 3/5 dhe sidomos ligjet që kanë të bëjnë me reformat. Me pak fjalë ligjet e reformës në drejtësi. Gazeta “SOT” e ka paralajmëruar prej ditësh se në pazarin që u bë mes Ramës dhe grupit të Berishës, përveç komisioneve hetimore, një dakordësi u arrit për disa ligje që janë ndryshuar në kuadër të reformës në drejtësi. Dhe duket se pazari është vënë dje në zbatim. Nga Rithemelimi anëtarë janë Oerd Bylykbashi dhe Dhurata Çupi, ndërsa vendi që refuzoi Basha, i është lënë Erisa Xhixhos nga PL. Ndërsa nga mazhoranca anëtarët janë Damian Gjiknuri, Klotilda Bushka, Toni Gogu. Pra duket se kemi një pazar Rama-Meta-Berisha. Por ajo që fshihet pas këtij komisioni nuk do të jetë vetëm rishikimi i ligjeve, pasi pritet që të vihet në zbatim skenari i paralajmëruar pak kohë më parë nga Eduard Shalsi. Ai paralajmëroi më herët një komision bipartizan, i cili do të monitorojë institucionet kushtetuese dhe ato të drejtësisë, përfshirë këtu edhe SPAK. Pikërisht komisioni që u ngrit dje, është hapi i parë drejt një manovre të tillë. Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka filluar të godasë fort, si majtas ashtu dhe djathtas. Sali Berisha është izoluar në banesë, teksa ekziston frika se mund të hapen të tjera dosje për të. Ilir Meta është drejt arrestimit. SPAK e ka kopsitur dosjen “CEZ-DIA”, teksa drejt fundit është dhe ajo e lobimeve në SHBA. Ndërkohë Edi Ramës po i bien të vetët një e nga një. Arrestimi i drejtorit të ARRSH apo i Jorgo Goros është sinjali i radhës se mund të kemi të tjerë ministra pas hekurave. Po ashtu vetë Rama ka dosjen “McGonigal” që e terrorizon. Kështu që të gjendur përballë këtij halli, duket se Berisha, Rama e Meta janë bërë bashkë. Që të tre kanë hall burgu dhe po bëhet ç’është e mundur që reforma të sabotohet. Megjithatë teksa mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht për këtë çështje (pazar), gazeta “SOT” e rithekson se mbështetja e SPAK, fuqizimi i drejtësisë dhe ndarja e pushteteve, është e vetmja mënyrë për të thare moçalin e politikës në Shqipëri, të mbushur me thithlopat e korrupsionit, që vrasin garën, sipërmarrjen e lirë dhe zgjedhjet, për të zënë tokën e bukës të shqiptarëve.
Reagimet
Ndërkohë pas mbledhjes, përfaqësues të Rithemelimit thanë për mediat se Reforma Zgjedhore është prioritet i tyre. Madje dakordësinë për të çuar para punën për Reformën Zgjedhore e konfirmoi edhe Damian Gjiknuri i PS, i cili theksoi se do adresojnë rekomandimet e ODHIR dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. “Sot filloi punë për të punuar me konsensus. Do të hulumtojmë modalitetin e punës për ligjin zgjedhor”, deklaroi ai. Teksa Lulzim Basha refuzoi që të marrë pjesë në këtë grup pune, Gjiknuri tha se konsultimi për ndryshimet në Kodin Zgjedhor do bëhen me të gjitha forcat politike, duke lënë sërish një ftesë të hapur edhe për kreun e PD. Me ngritjen e grupit të punës i jepet lamtumira Komisionit të Reformës Zgjedhore të bashkëdrejtuar nga Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj i cili u mbyll javën e kaluar pa asnjë produkt. E megjithatë Gjiknuri nënvizon se konsultimet që janë arritur në komisionin e Reformës Zgjedhore nuk janë ‘shumëzuar me zero’, por do merren në konsideratë. “Konsultimet nuk janë vrarë. Opinionet dhe rekomandimet konsiderohen. Nëse do të gjejmë dakordësi mes gjithë faktorëve politikë. Janë të përfshirë edhe deputetë të tjerë nëse duan të marrin pjesë me këtë çështje. Janë pjesë e këtij grupi sa herë diskutohen. Komisioni e mbaroi afatin nuk arriti gjë. Ne do të përpiqemi me të gjitha forcat që janë në këtë grup dhe jashtë grupit. Edhe grupi i Bashës ka të drejtën të marrë pjesë në mbledhje. Do këtë transparencë kur të ketë një modalitet pune”, nënvizoi Damian Gjiknuri. Sa i takon amnistisë penale që ka mbetur e bllokuar në Kuvend prej dhjetorit, opozita tha se nuk u diskutua në mbledhjen e sotme, por nuk përjashtuan as një diskutim javën e ardhshme. “Opozita e ka mbështetur gjithmonë amnistinë. Do shohim kush janë zgjidhjet konkrete që opozita të arrijë objektivat e saj”, deklaroi dje deputeti i Rithemelimit, Oerd Bylykbashi. Nga ana tjetër, Gjiknuri u shfaq komfort, teksa tha se çështja e amnistisë është e tejkaluar dhe tashmë duhet të marrë votat në Kuvend. Amnistia është e tejkaluar është në seancë. Nuk e kemi konsideruar pasi është në një fazë më të avancuar. Thelbi është çështje që kërkojnë koncesnus në interes të integrimit të vendit në BE. Formati është dialog. Amnistia duhet të marrë votat e nevojshme, ka një dialog mes grupeve parlamentare”, nënvizoi Gjiknuri. Ndërkaq kujtojmë se ngritja e këtij mekanizmi dialogu u bë pas dakordësisë mes mazhorancës dhe opozitës, pas rikthimit në normalitet të jetës parlamentare. Ky grup pritet të marrë vendime me konsensus për ligjet që duan 84 vota, përfshirë Reformën Zgjedhore, për të shkuar drejt votimit në parlament, me dakordësinë e palëve. Në mbledhjen e radhës pritet të caktohet objekti i punës së grupit të dialogut që u mblodh sot në Komisionin e Ligjeve. Grupi i dialogut që do të veprojë brenda komisionit parlamentar të ligjeve, synon që të çohet përpara bashkëpunimi mes palëve për ligjet që kërkojnë 3/5 e votave në Kuvend.
