Tedi Blushi ka deklaruar se procesi gjyqësor ndaj kreut të Partia e Lirisë, Ilir Meta, është një proces i motivuar politikisht dhe pa prova konkrete penale.
I ftuar në një studio televizive, Blushi u shpreh se Meta po mbahet padrejtësisht në qeli dhe akuzoi qeverinë për ndërhyrje politike në hetim dhe në vendimmarrje.
“Ndaj zotit Meta po vijon një proces politik gjyqësor. Nuk ka asnjë provë ndaj tij. Po mbahet në qeli padrejtësisht”, deklaroi ai.
Deputeti i PL-së akuzoi drejtpërdrejt Edi Rama, duke pretenduar se procesi ndaj Metës është “i orkestruar politikisht”.
Sipas Blushit, ndaj ish-presidentit nuk ekziston një dosje konkrete penale dhe e gjithë çështja është ngritur për të dëmtuar figurën e tij publike dhe politike.
Ai tha gjithashtu se seancat gjyqësore janë zhvilluar në mënyrë të mbyllur dhe kërkoi “çbunkerizimin” e tyre, në mënyrë që, sipas tij, publiku të njihet me faktet reale të çështjes.
“Seancat të çbunkerizohen”, u shpreh Blushi, duke shtuar se Meta është “i pastër para ligjit” dhe se akuzat ndaj tij nuk mbështeten në prova.
Në deklaratën e tij, deputeti i Partisë së Lirisë përmendi edhe emra si George Soros dhe Charles McGonigal, duke pretenduar se janë përdorur për të dëmtuar figurën politike të Metës.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa fajësia e tij të provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
