“PD ka nevojë për rinovim”, Alimehmeti: Salianji ishte i vetmi që plotësonte kriteret për garë përballë Berishës

Data

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partia Demokratike e Shqipërisë, Ilir Alimehmeti, ka deklaruar se opozita ka nevojë për rinovim, përfaqësim më të gjerë dhe garë reale brenda partisë.

Në një intervistë televizive, Alimehmeti u shpreh se gara për drejtimin e PD-së nuk duhej të ishte formale, por një proces i vërtetë konkurrimi përballë Sali Berisha.

“Ka nevojë për një rinovim, por më tepër sesa vetë rinovimi do kishte rëndësi përfaqësimi. Këshilli Kombëtar duhet të ishte më përfaqësues dhe më aktiv”, deklaroi ai.

Duke komentuar mundësinë e një gare të brendshme, Alimehmeti tha se Ervin Salianji ishte figura e vetme që plotësonte kriteret për të hyrë në garë përballë Berishës.

“Unë jam për garë gjithmonë. Gara të forcon, gara të çon përpara. Mendoj që zoti Salianji ishte i vetmi person që i plotësonte kriteret për të hyrë në garë përballë zotit Berisha”, u shpreh Alimehmeti.

Megjithatë, ai kritikoi idenë e një procesi formal apo të paracaktuar.

“Nuk jam për farsat ala ‘Maqo Lakrori’. O bëjmë garë reale, ose më mirë të quhet rikonfirmim. Një garë false nuk do e preferoja”, tha ai.

I pyetur për raportin me Salianjin dhe debatet brenda PD-së, Alimehmeti mohoi çdo përçarje dhe theksoi se ka qenë gjithmonë kundër ndasive në parti.

“Kam qenë fort kundër përçarjes. E kam parë se çfarë dëmi ka sjellë përçarja në Partinë Demokratike”, deklaroi ai.

Ai kujtoi gjithashtu mbështetjen që i ka dhënë Salianjit gjatë kohës së dënimit me burg, duke e konsideruar atë një proces politik.

“Zotin Salianji e kam njohur në burg. Kam shkuar për ta takuar sepse vlerësoja që ai po bënte një burg politik për shkak të kontributit që jepte në Partinë Demokratike”, u shpreh Alimehmeti.

Sipas tij, opozita duhet të fokusohet te bashkimi dhe rikthimi i shpresës tek qytetarët, përballë qeverisë së Edi Rama.

“Çdo diskutim mes nesh duhet të mbyllet. Problemi është më i madh. Po na ikin fëmijët dhe po humbet shpresa”, deklaroi Alimehmeti.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related