Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, deklaroi se partneriteti strategjik mes Rusia dhe Kina përbën një forcë stabilizuese në një botë gjithnjë e më të trazuar.
Komentet e Lavrov erdhën gjatë vizitës dy-ditore të presidentit rus Vladimir Putin në Pekin, ku shefi i diplomacisë ruse e cilësoi marrëdhënien mes dy vendeve si një nga më të qëndrueshmet dhe më elastiket në arenën ndërkombëtare.
Sipas tij, lidhjet mes Moskës dhe Pekinit janë ndërtuar mbi respektin reciprok, bashkëpunimin ekonomik dhe njohjen e interesave sovrane të secilit shtet.
“Partneriteti mbështetet në një themel shumë të fortë material”, deklaroi Lavrov, duke shtuar se tregtia dypalëshe ka tejkaluar prej vitesh nivelin e 200 miliardë dollarëve.
Ai vuri theksin te bashkëpunimi energjetik, duke nënvizuar se Rusia mbetet furnizuesi kryesor i gazit natyror për Kinën.
“Rusia është furnizuesi kryesor i gazit natyror me tubacione për Kinën. Jemi gjithashtu ndër furnizuesit kryesorë të gazit të lëngshëm dhe qymyrit”, tha Lavrov.
Ministri rus bëri të ditur se është arritur marrëveshja përfundimtare për ndërtimin e gazsjellësit “Power of Siberia 2”, ndërsa po diskutohen edhe projekte të tjera energjetike në Lindjen e Largët.
Lavrov theksoi gjithashtu bashkëpunimin në energjinë bërthamore civile, teknologji të avancuar dhe eksplorimin hapësinor, duke deklaruar se Kina po ndihmon Rusinë të kapërcejë pengesat e vendosura nga Perëndimi.
“Kina ka teknologji që ndihmojnë Federatën Ruse të kapërcejë barrierat artificiale dhe të paligjshme të krijuara nga Perëndimi”, u shpreh ai.
Sipas Lavrovit, zhvillimet e fundit globale kanë treguar “natyrën reale të politikës perëndimore”, duke shtuar se Rusia dhe Kina duhet të mbështeten gjithnjë e më shumë te burimet e tyre dhe “solidariteti vëllazëror”.
