Burimi komenton kandidimin e Eric Wendt: Shqipërisë i duhet ambasador i fortë përballë problemeve të demokracisë

Data

Gazetari i Radio France, Genc Burimi, ka komentuar kandidimin e Eric Wendt për ambasador të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, duke deklaruar se vendi ka nevojë për një ambasador të fortë për shkak të problemeve me demokracinë dhe shtetin ligjor.

I ftuar në një debat televiziv, Burimi tha se administrata amerikane e presidentit Donald Trump tashmë e ka zhvendosur fokusin nga promovimi i demokracisë drejt mbrojtjes së interesave strategjike amerikane.

“Kur shkon në një vend që ka defekte të demokracisë, sigurisht që është roli i një ambasadori të fortë”, deklaroi Burimi.

Ai shtoi se politika e jashtme amerikane po funksionon sipas logjikës së “realpolitikës”, ku prioritet mbeten interesat kombëtare të SHBA-së dhe jo domosdoshmërisht standardet demokratike.

“Sot Amerika nuk ka më prioritet demokracinë, ka prioritet interesin e saj. Nëse merret vesh me Maduron, mund të merret vesh edhe me Ramën”, u shpreh ai.

Burimi deklaroi më tej se Shqipëria ndihet “e tradhtuar” si nga Bashkimi Evropian ashtu edhe nga SHBA.

Në debat reagoi edhe gazetari Bledian Koka, i cili kritikoi veçanërisht Francë për heshtjen ndaj zhvillimeve politike në Shqipëri.

“Shqipëria është tradhtuar vetëm nga Franca, që nuk ka folur për çështjen e imunitetit të Belinda Ballukut apo trafikun e drogës”, deklaroi Koka.

Sipas tij, vende si Gjermani, Holandë, Suedi dhe Mbretëria e Bashkuar kanë mbajtur qëndrime më të qarta ndaj situatës në Shqipëri.

Koka përmendi edhe rastin e një personi të lidhur sipas tij me kartelin Sinaloa Cartel, i cili u shpall “non grata” nga SHBA, duke e konsideruar këtë si një mesazh të qartë amerikan ndaj qeverisë shqiptare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related