Pedagogu i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Petrit Nathanaili, ka komentuar nominimin e Eric Wendt si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, duke e interpretuar atë si një sinjal të fortë gjeopolitik nga administrata e Donald Trump.
I ftuar në një emision televiziv, Nathanaili tha se emërimi i një ushtaraku në një post diplomatik lidhet zakonisht me çështje sigurie dhe interesa strategjike amerikane.
“Prezantimi është klasik, i një ushtaraku: i prerë, shkurt dhe saktë”, deklaroi ai.
Sipas pedagogut, vendosja e figurave ushtarake në diplomaci historikisht ka qenë një mesazh force nga SHBA.
“Kur amerikanët vendosën George Marshall në Departamentin e Shtetit pas Luftës së Dytë Botërore, ishte një mesazh force ndaj Bashkimit Sovjetik”, u shpreh Nathanaili.
Ai theksoi se edhe në rastin e Eric Wendt, mesazhi lidhet me një qasje më të ashpër ndaj sigurisë, krimit të organizuar dhe çështjeve gjeopolitike në rajon.
“Kur emërohen ushtarakë në poste të tilla, mesazhi është se politika amerikane do të jetë më e prerë dhe më e fortë në çështjet e sigurisë dhe gjeopolitikës”, tha ai.
Nathanaili komentoi edhe referencat e Wendt ndaj figurës së Gjergj Kastrioti Skënderbeu gjatë prezantimit në Senatin amerikan, duke e cilësuar si një përpjekje diplomatike për të krijuar afërsi me publikun shqiptar.
“Përdorimi i Skënderbeut është një mënyrë për të krijuar afinitet me vendin pritës dhe për të respektuar simbolet kombëtare shqiptare”, deklaroi pedagogu.
