Sekretari i Përgjithshëm i Partia e Lirisë, Tedi Blushi, ka kërkuar publikisht nga SPAK dhe autoritetet amerikane që të garantojnë transparencë të plotë në hetimin për kontratën e lobimit mes ish-LSI dhe kompanisë amerikane GSIS.
Në një deklaratë për mediat, Blushi tha se nuk duhet të bllokohen provat që, sipas tij, shfajësojnë Ilir Meta nga ato që ai i cilësoi “akuza politike”.
Sipas tij, më 23 qershor 2026 përfundon afati i vendosur nga një gjykatë në SHBA, që ndalon kompaninë GSIS të japë informacion për marrëdhëniet kontraktuale me LSI-në për një periudhë dyvjeçare.
Blushi pretendoi se ky vendim është përdorur për t’i pamundësuar Metës aksesin në prova dhe dokumente që, sipas Partisë së Lirisë, do të ndihmonin në zbardhjen e plotë të çështjes.
Në deklaratë, ai renditi tetë kërkesa që sipas tij duhet t’u adresohen autoriteteve amerikane dhe kompanisë GSIS, përfshirë dokumentet origjinale të kontratës, faturat, pagesat, ndryshimet kontraktuale dhe identifikimin e personave përgjegjës që kanë administruar marrëveshjen nga pala shqiptare.
Blushi akuzoi SPAK-un se prej katër vitesh nuk ka kërkuar informacionin e plotë nga autoritetet amerikane dhe tha se mungesa e transparencës ka dëmtuar besimin tek asistenca ndërkombëtare në luftën kundër korrupsionit.
Ai solli në vëmendje edhe çështjen e kontratës me kompaninë McKeon Group, duke pretenduar se autoritetet amerikane kishin sqaruar se pagesat e pretenduara nuk kishin lidhje direkte me LSI-në apo Metën.
Sipas Blushit, Partia e Lirisë do të insistojë që e gjithë çështja të trajtohet me transparencë të plotë dhe në bashkëpunim me autoritetet amerikane, për të garantuar, sipas tij, një proces të rregullt ligjor.
