Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari deklaroi se institucionet e sigurisë ndodhen në gatishmëri të shtuar për përballimin e sfidave të sezonit veror, duke paralajmëruar kontrolle të intensifikuara dhe masa të forta ndaj çdo rasti paligjshmërie.
Në një konferencë për mediat, Lamallari tha se prioritet mbetet siguria publike, mbrojtja e territorit dhe lufta kundër kriminalitetit, përfshirë kultivimin e kanabisit dhe ndërtimet pa leje.
Sipas tij, gjatë muajve të verës do të ketë patrullime të shtuara në zonat turistike, kontrolle në hotele, bare dhe restorante, si dhe masa të posaçme për parandalimin e zjarreve dhe incidenteve në shkolla.
Ministri theksoi se bashkëpunimi me Guardia di Finanza do të forcohet më tej për monitorimin e territorit kundër kultivimit të lëndëve narkotike. Ai bëri të ditur se do të përdoret edhe një avion monitorimi që do të transmetojë në kohë reale koordinatat e zonave të dyshuara.
Duke iu referuar rastit të fundit në Sarandë, ku disa punonjës policie u vunë nën hetim për lidhje me ndërtime pa leje, Lamallari paralajmëroi se çdo punonjës shteti që bashkëpunon me elementë kriminalë do të përballet me ligjin.
“Ky është një mesazh për këdo që bëhet palë me krimin. Mbrojtja e territorit është prioritet kombëtar dhe nuk do të tolerohet asnjë shkelje”, deklaroi ai.
Ministri njoftoi gjithashtu se po vijon zbatimi i projektit Smart City, i cili synon rritjen e mbikëqyrjes elektronike dhe përdorimin e teknologjisë në funksion të sigurisë publike dhe shkollore. Sipas tij, brenda vitit të ardhshëm arsimor sistemi do të zbatohet në 21 shkolla në Tiranë.
Sa i përket incidentit të helmimit në Akademia e Sigurisë, Lamallari tha se nga analizat laboratorike vetëm një mostër rezultoi pozitive me stafilokok dhe se ambientet janë dezinfektuar, ndërsa aktiviteti është rikthyer në normalitet.
