Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Territoriale nga Partia Demokratike, Luçiano Boçi, ka deklaruar se reforma territoriale e vitit 2014 ka dështuar dhe po ndikon drejtpërdrejt në zbrazjen e zonave rurale në vend.
Gjatë dëgjesës së radhës të zhvilluar në Durrës, Boçi u shpreh se reforma ka krijuar dy realitete të ndryshme: bashki të zhvilluara në qendrat urbane dhe zona rurale të lëna në harresë.
Sipas tij, qyteti i Durrësit është shembulli më i qartë i kësaj situate, ku ndërtimet shumëkatëshe dhe kullat po shtohen vazhdimisht, ndërsa fshatrat përreth vuajnë mungesën e shërbimeve bazë.
“Këtu gëlojnë ndërtimet brenda qytetit të Durrësit, ndërsa në zonat rurale njerëzit luftojnë për të gjetur ujësjellësin apo rrugën e shtëpisë”, deklaroi Boçi.
Ai theksoi se pas reformës territoriale janë mbyllur shkolla, qendra shëndetësore dhe janë reduktuar ndjeshëm shërbimet për banorët e zonave rurale.
Sipas deputetit demokrat, nevoja për një reformë të re territoriale ka ardhur si rezultat i kërkesave të vetë qytetarëve dhe jo si detyrim nga Bashkimi Evropian.
Boçi shtoi se opozita do të vijojë të kontribuojë në tryezën e reformës për të ndërtuar një model funksional të vetëqeverisjes vendore, që sipas tij duhet të rikthejë balancën mes qyteteve dhe fshatrave.
