Analisti politik Kreshnik Spahiu ka kritikuar ashpër Sali Berisha, duke deklaruar se kreu i Partisë Demokratike është një politikan i konsumuar që vazhdon të përsërisë të njëjtën retorikë politike prej dekadash.
Në një intervistë televizive, Spahiu komentoi garën për kreun e Partia Demokratike, ku Berisha pritet të kandidojë i vetëm në zgjedhjet e 23 majit.
“Berisha çdo gjë e ka të fundit. Mitingu i radhës do të jetë më madhështori, protesta e radhës do të rrëzojë qeverinë dhe zgjedhjet sipas tij do të jenë më moderne. Kjo është retorika e një politikani të konsumuar që ka 40 vjet në politikë dhe nuk ka më çfarë të japë”, deklaroi Kreshnik Spahiu.
Sipas tij, në Partinë Demokratike nuk ka pasur kurrë zgjedhje reale për drejtimin e partisë, pasi kontrolli ka qenë gjithmonë në duart e Berishës, edhe në periudhat kur ai nuk mbante zyrtarisht postin e kryetarit.
“Edhe kur nuk ka qenë kryetar, të gjithë e kanë kuptuar që partinë e ka komanduar ai”, tha Spahiu, duke sjellë si shembull periudhën kur Tritan Shehu drejtonte formalisht partinë, ndërsa sipas tij vendimmarrja kontrollohej nga Berisha.
Analisti shtoi se edhe garat e zhvilluara ndër vite në PD kanë qenë formale dhe me kandidatë “fiktivë”.
Në krahasim me Partia Socialiste, Spahiu tha se socialistët kanë zhvilluar gara të forta për drejtimin e partisë, duke përmendur përplasjet politike mes Fatos Nano, Ilir Meta, Pandeli Majko dhe Edi Rama.
Sipas tij, mungesa e debatit për lidershipin në partitë që fitojnë zgjedhjet është normale në demokracitë europiane, ndërsa debatet lindin zakonisht tek partitë humbëse.
Në fund, Kreshnik Spahiu akuzoi Berishën se ka krijuar një model të dëmshëm politik që po ndiqet edhe nga partitë e tjera në vend.
“Mosdhënia e dorëheqjes nga Berisha ka krijuar një model 40-vjeçar ku partitë nuk rinovohen dhe drejtuesit nuk largohen. Ky është një model shumë i shëmtuar i bllokimit të establishmentit politik”, u shpreh ai.
