Pas muajsh përplasjesh publike, ironish dhe akuzash reciproke, konflikti mes Elon Musk dhe Sam Altman po hyn në fazën më të rëndësishme: betejën ligjore në gjykatë federale në Kaliforni.
Në qendër të konfliktit qëndron OpenAI, organizata që solli në treg chatbot-in ChatGPT dhe që sot konsiderohet një nga kompanitë më të fuqishme në garën globale për inteligjencën artificiale.
Sipas padisë së ngritur nga Musk, OpenAI ka devijuar nga misioni fillestar jofitimprurës me të cilin u krijua në vitin 2015. Ai pretendon se kompania, e themeluar bashkë me Altmanin, kishte si objektiv zhvillimin e inteligjencës artificiale në shërbim të njerëzimit dhe jo për interesa komerciale.
Musk pretendon se drejtuesit e OpenAI e transformuan kompaninë në një strukturë fitimprurëse, duke favorizuar interesa financiare dhe partneritete të mëdha teknologjike, veçanërisht me Microsoft. Ai kërkon miliarda dollarë dëmshpërblim dhe ndryshime të rëndësishme në drejtimin e kompanisë.
Nga ana tjetër, OpenAI e konsideron padinë si pjesë të rivalitetit personal dhe biznesor të Musk, sidomos pas krijimit të kompanisë së tij të inteligjencës artificiale xAI, e njohur për chatbot-in Grok.
Përplasja mes dy figurave të Silicon Valley është bërë edhe më e ashpër muajt e fundit. Musk tentoi të blinte asetet e OpenAI për 97.4 miliardë dollarë, por oferta u refuzua. Më pas, Altman ironizoi publikisht duke sugjeruar se OpenAI mund të blinte X për një shumë shumë më të ulët.
Në procesin gjyqësor pritet të dëshmojnë edhe figura të tjera të rëndësishme të industrisë teknologjike, përfshirë drejtuesin e Microsoft, Satya Nadella, si dhe ish-drejtues dhe ish-anëtarë të bordit të OpenAI, mes tyre edhe shqiptarja Mira Murati.
Ekspertët e teknologjisë e konsiderojnë këtë gjyq si shumë më tepër sesa një konflikt personal mes dy miliarderëve. Sipas tyre, beteja lidhet me kontrollin e inteligjencës artificiale të përgjithshme (AGI), teknologji që mund të ndikojë ekonominë globale, sigurinë dhe mënyrën si funksionon shoqëria në dekadat e ardhshme.
