Një aksident tragjik është regjistruar në Tajlandë, ku një tren mallrash është përplasur me një autobus pasagjerësh në një kalim hekurudhor në Bangkok.
Sipas autoriteteve lokale, të paktën tetë persona kanë humbur jetën, ndërsa 32 të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e përplasjes së fortë.
Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje mbërritën zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës, ndërsa autobusi publik u përfshi nga flakët së bashku me disa automjete të tjera pranë stacionit hekurudhor. Në incident u përfshinë gjithashtu makina dhe motoçikleta.
Sipas raportimeve paraprake, autobusi kishte mbetur i ndaluar mbi shina për shkak të semaforit të kuq, duke penguar mbylljen e barrierave të kalimit hekurudhor.
Treni, i cili transportonte kontejnerë mallrash, nuk arriti të ndalonte në kohë për të shmangur përplasjen fatale.
Ekipet e shpëtimit punuan për nxjerrjen e viktimave dhe të plagosurve nga rrënojat, ndërsa zjarrfikësit arritën të vinin nën kontroll flakët pas disa minutash.
Autoritetet tajlandeze kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.
Sipas Organizata Botërore e Shëndetësisë, rrugët dhe infrastruktura e trafikut në Tajlandë renditen ndër më të rrezikshmet në botë për shkak të zbatimit të dobët të standardeve të sigurisë rrugore.
