Kreu i Partia Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar përmes një video-mesazhi ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për manipulim të fakteve dhe përhapje të “gënjeshtrave dhe trillimeve”.
Berisha deklaroi se raportet ndërkombëtare për tenderat publikë tregojnë një rënie të ndjeshme të standardeve dhe transparencës në Shqipëri, ndërsa hodhi akuza për përfitime të paligjshme nga persona të afërt me kryeministrin.
“Sot përsëri në monologun e tij të së dielës, Edi Rama lëshoi serialin e gënjeshtrave dhe trillimeve”, u shpreh Berisha.
Ai iu referua një raporti të “Tender Europe”, sipas të cilit Shqipëria ka shënuar rënie në treguesit e transparencës dhe menaxhimit të tenderave publikë.
Sipas liderit demokrat, “baxhanaku i Edi Ramës ka fituar qindra tendera sekretë në kundërshtim me ligjin dhe vetëm në një vit ka marrë 800 transaksione pagesa nga thesari i shtetit”.
Berisha kritikoi gjithashtu deklaratat e Ramës në një konferencë në Talin, ku sipas tij kryeministri krahasoi shqiptarët me talebanët.
“Asgjë nuk i lidh shqiptarët me talebanët. Krahasimi i kombit tënd me një organizatë terroriste tregon papërgjegjshmëri”, deklaroi ai.
Në reagimin e tij, Berisha hodhi poshtë edhe pretendimet e Ramës se mes Shqipërisë dhe Rusi nuk ka pasur kontakte zyrtare prej dekadash, duke përmendur vizita të ndryshme diplomatike ndër vite, përfshirë edhe atë të Sergei Lavrov në Shqipëri në vitin 2004.
Sa i përket procesit të integrimit europian, Berisha tha se opozita e mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimi Europian për arsye gjeopolitike, por sipas tij vendi nuk plotëson ende kriteret për anëtarësim.
Ai shtoi se rezoluta e miratuar në Kuvend nuk përmban vlerësime për qeverinë, por vetëm kërkesa dhe detyrime që lidhen me procesin e integrimit europian.
