“Kapitali në hije” po deformon tregun e banesave në Tiranë, raportet ndërkombëtare ngrejnë alarmin për ndikimin e pastrimit të parave në çmimet e pasurive të paluajtshme

Data

Prej gati një dekade, tregu i pasurive të paluajtshme në Tiranë ka shfaqur një rritje të vazhdueshme të çmimeve që, sipas ekspertëve dhe raporteve ndërkombëtare, nuk shpjegohet më vetëm nga raporti kërkesë-ofertë apo nga zhvillimi ekonomik i vendit.

Një raport i vitit 2024 i Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Europën mbi zhvillimin urban, strehimin dhe menaxhimin e tokës në Shqipëri evidenton se pastrimi i parave ka qenë një faktor kontribuues në rritjen e çmimeve të banesave, sidomos në Tiranë dhe zonat bregdetare.

Sipas raportit, kombinimi i çmimeve të larta me të ardhurat relativisht të ulëta të familjeve shqiptare e ka bërë blerjen e një banese të re të papërballueshme për shumicën e qytetarëve. Dokumenti nënvizon gjithashtu se Tirana renditet ndër qytetet evropiane me nivelet më të larta të papërballueshmërisë në strehim.

Ekspertja e strehimit, Doris Andoni, vlerëson se fenomeni është shumë më kompleks sesa thjesht dinamika normale e tregut.

Sipas saj, mungesa e transparencës mbi origjinën e kapitalit që hyn në sektorin e ndërtimit ka krijuar një treg të vështirë për t’u analizuar dhe reformuar.

Edhe raportet e Agjencia e Inteligjencës Financiare kanë identifikuar pasuritë e paluajtshme si një nga sektorët me rrezik të lartë për pastrimin e parave. Vetëm gjatë vitit 2024 janë evidentuar raste që lidhen me investime në prona nga persona me aktivitet kriminal, ish-funksionarë të drejtësisë dhe ish-zyrtarë të lartë.

Ndërkohë, në draftin e “Strategjisë Kombëtare për Krimin e Organizuar 2026–2030”, qeveria shqiptare pranon se krimet financiare dhe pastrimi i parave janë ndikuar nga globalizimi dhe teknologjia, ndërsa pasuritë e paluajtshme përmenden si një nga mënyrat kryesore të integrimit të kapitalit të paligjshëm në ekonomi.

Aktorë të tregut pohojnë se një pjesë e apartamenteve në Tiranë blihen jo për banim apo qira, por për të ashtuquajturin “parkim parash”. Kjo praktikë, e njohur edhe në qytete si Londër, Dubai apo Vancouver, përdoret për ruajtjen e kapitalit në prona, shpesh pa interes për përdorim të menjëhershëm.

Si pasojë, shumë apartamente të reja qëndrojnë bosh për periudha të gjata, ndërsa çmimet vazhdojnë të rriten, pavarësisht nivelit të ulët të të ardhurave në vend.

Ekspertët paralajmërojnë se hyrja e kapitalit informal në sektorin e ndërtimit po ndikon jo vetëm në rritjen artificiale të çmimeve, por edhe në uljen e aksesit të qytetarëve tek strehimi, duke krijuar një treg gjithnjë e më të paarritshëm për familjet shqiptare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related