Partia Demokratike e Shqipërisë ka nisur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 23 majit për kryetarin e partisë, ku kandidati i vetëm në garë është Sali Berisha.
Sipas një udhëzimi të brendshëm të siguruar nga mediat, fushata ka nisur më 15 maj dhe do të përfundojë 24 orë përpara ditës së votimit.
Dokumenti përcakton gjithashtu organizimin e procesit zgjedhor brenda partisë, duke parashikuar që Berisha të ketë përfaqësues të tij në çdo komision votimi dhe numërimi, pavarësisht se në garë nuk ka kandidat tjetër.
Sipas udhëzimit, anëtarët e Kryesisë dhe të Këshillit Kombëtar të PD-së do të votojnë në qendrën e posaçme që do të ngrihet në selinë qendrore të partisë në Tiranë.
Procesi i votimit do të zhvillohet më 23 maj, nga ora 08:00 deri në orën 18:00.
Ndërkohë, numërimi i votave pritet të nisë jo më vonë se 30 minuta pas mbylljes së votimit, ndërsa rezultati final duhet të publikohet brenda datës 24 maj.
Zgjedhjet e brendshme zhvillohen në një moment debatesh brenda opozitës mbi drejtimin e ardhshëm të PD-së dhe mënyrën e organizimit të partisë pas zgjedhjeve parlamentare.
