Panik në Modena, 30-vjeçari përplas me makinë këmbësorët dhe plagos me thikë një person gjatë arratisjes

Data

Një incident i rëndë është regjistruar në Modena, ku një automjet që lëvizte me shpejtësi të lartë përplasi disa këmbësorë në qendrën historike të qytetit.

Sipas mediave italiane, ngjarja ndodhi brenda zonës me trafik të kufizuar, ndërsa makina goditi rreth dhjetë persona.

Bilanci paraprak flet për shtatë të plagosur, mes tyre të paktën dy persona në gjendje të rëndë. Lajmi u konfirmua edhe nga kryebashkiaku i qytetit, Massimo Mezzetti.

Shoferi, një 30-vjeçar me origjinë afrikane, mbeti gjithashtu i plagosur pas përplasjes. Pas aksidentit ai tentoi të largohej me vrap nga vendngjarja.

Sipas dëshmitarëve, gjatë arratisjes ai goditi me thikë një kalimtar që po përpiqej ta ndalonte.

“E pamë makinën duke ardhur drejt trotuarit. Papritmas përshpejtoi. Po ecte me të paktën 160 kilometra në orë, pamë njerëz duke fluturuar”, deklaruan disa dëshmitarë okularë për mediat lokale.

Policia italiane ka nisur hetimet për të zbardhur motivet e incidentit dhe për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një akt të qëllimshëm apo për një ngjarje të shkaktuar nga humbja e kontrollit të automjetit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related