Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka reaguar ashpër ndaj diskutimeve mes opozitës dhe mazhorancës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, duke deklaruar se forca politike që ai përfaqëson nuk do të bëhet pjesë e marrëveshjeve politike mes Partisë Demokratike dhe qeverisë.
Në një intervistë televizive, Kapri komentoi dakordësinë mes PD-së dhe koalicionit “Shqipëria Bëhet” për disa pika të reformës zgjedhore, duke theksuar se çdo negociatë me kryeministrin Edi Rama është në dëm të opozitës.
“Ne nuk jemi pjesë e pazareve politike. Çfarë kuptimi ka të shkosh në një tryezë dhe kreu i PD-së të bëjë pazare me Edi Ramën? Çdo pazar me Ramën është në dëm të opozitës”, deklaroi Erald Kapri.
Ai solli si shembull opozitën hungareze dhe figurën e Peter Magyar, për të cilin tha se arriti sukses politik sepse nuk hyri në marrëveshje me kryeministrin hungarez Viktor Orbán.
Sipas Kaprit, opozita shqiptare nuk duhet të fokusohet vetëm tek sistemi zgjedhor, por tek fitimi i besimit të qytetarëve.
“Opozita duhet të fitojë votat dhe besimin e njerëzve. Çdo tentativë për ta ulur debatin vetëm te Kodi Zgjedhor është disfatizëm”, u shpreh ai.
Deputeti ngriti gjithashtu dyshime se negociatat për reformën zgjedhore mund të shoqërohen me marrëveshje të tjera politike, përfshirë edhe ndryshime kushtetuese që, sipas tij, mund të prekin sistemin e drejtësisë.
“Pse Rama duhet të votojë një kod që favorizon opozitën? Nuk e bën pa marrë diçka në këmbim”, deklaroi Erald Kapri.
Në përfundim, ai theksoi se Partia Mundësia nuk i trembet asnjë formule zgjedhore dhe se beteja e saj do të mbetet tek qytetarët dhe besimi publik.
