SPAK godet grupin kriminal të trafikut të heroinës mes Shqipërisë dhe Danimarkës, ekzekutohen dy masa sigurie pas hetimeve të operacionit “Bacchus”

Data

SPAK ka goditur një grup të strukturuar kriminal të dyshuar për trafikim dhe shpërndarje heroine në Danimarka dhe Shqipëri, në kuadër të hetimeve të përbashkëta me autoritetet daneze.

Sipas njoftimit zyrtar, hetimet lidhen me procedimin penal të njohur si “Operacioni Bacchus”, i regjistruar nga autoritetet daneze në gusht të vitit 2023. Në fokus të hetimit ishte një grup shtetasish shqiptarë dhe të huaj, të cilët dyshohet se trafikonin heroinë drejt Mbretërisë së Danimarkës përmes Suedia.

SPAK bëri të ditur se aktiviteti kriminal është zhvilluar nga 1 tetori 2023 deri më 23 janar 2024, në shtatë episode të ndryshme. Sipas hetimeve, lënda narkotike përzihej me paracetamol dhe kafeinë përpara se të hidhej në tregun danez, me qëllim rritjen e fitimeve nga shitja.

Në kuadër të procedimit penal nr.55 të vitit 2024, Prokuroria e Posaçme kërkoi masa sigurie për shtetasit M.L. (alias G.) dhe E.L., të dyshuar për veprat penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi masën “arrest në burg” për M.L., ndërsa ndaj E.L. u caktuan masat “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.

Sipas SPAK, më 14 maj 2026, Policia e Shtetit ekzekutoi masat e sigurisë për të dy personat nën hetim.

Nga hetimet e përbashkëta mes autoriteteve shqiptare dhe daneze është bërë e mundur identifikimi dhe procedimi në Danimarkë i tre personave, mes tyre dy shtetas shqiptarë dhe një i huaj, ndërsa në Shqipëri janë identifikuar dy shtetas të tjerë të dyshuar si pjesë e aktivitetit kriminal.

SPAK theksoi se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të trafikut të narkotikëve, ndërsa falënderoi autoritetet daneze dhe Byroja Kombëtare e Hetimit për bashkëpunimin në operacion.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related