Operacion i Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Sarandë, arrestohet shefi i Komisariatit dhe disa efektivë për dyshime mbi ndërtimet pa leje

Data

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka zhvilluar një operacion në Sarandë, Ksamil dhe zona të tjera të jugut të vendit, në kuadër të hetimeve për ndërtimet pa leje në zonat bregdetare.

Sipas informacionit paraprak, në prangat e AMP-së kanë rënë shefi i Komisariatit të Sarandës, shefi i Krimeve, një specialist krimesh dhe një efektiv policie, të cilët dyshohet se kanë favorizuar ose nuk kanë ndërhyrë për të ndaluar ndërtime të paligjshme.

Hetimet dyshohet se lidhen me raste të ndërtimeve pa leje pranë vijës bregdetare, një fenomen që prej kohësh ka ngritur shqetësime në jug të vendit.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se punonjësit e policisë dyshohet të kenë bashkëpunuar mes tyre në lejimin apo mosgoditjen e këtyre ndërtimeve.

Vetëm dy ditë më parë, policia e Sarandë arrestoi tetë persona të kapur duke kryer ndërtime pa leje pranë bregdetit, ndërsa në kërkim u shpall edhe pronarja e truallit ku po kryheshin punimet.

Ndërkohë, zhvillime janë regjistruar edhe në Shkodër, ku janë bërë lëvizje në strukturat e Policisë Rrugore.

Me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, në krye të Sektorit të Policisë Rrugore në Shkodër është rikthyer Gëzim Zela, i cili e ka mbajtur edhe më parë këtë detyrë.

Ndërsa Blerim Laçi, që drejtonte prej nëntë muajsh Policinë Rrugore të Shkodrës, është transferuar në Durrës.

Lëvizjet vijnë në një moment kur strukturat policore po përballen me kontrolle dhe hetime të shtuara lidhur me abuzimet në detyrë dhe tolerimin e ndërtimeve pa leje, veçanërisht në zonat turistike të vendit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related