Është zhvilluar ceremonia e diplomimit të 104 studentëve të Akademia e Sigurisë, në praninë e drejtuesve të lartë të Policia e Shtetit, ministrave dhe përfaqësuesve institucionalë.
Në ceremoni morën pjesë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, si dhe ministrat Besfort Lamallari dhe Mirela Kumbaro.
Gjatë fjalës së tij, Hita theksoi se Akademia po ndërton një model të ri formimi për Policinë e Shtetit dhe se brezi i diplomuar përfaqëson një urë lidhëse mes eksperiencës tradicionale policore dhe modelit të ri të edukimit profesional.
“Ceremonia e sotme është një ditë me simbolikë të veçantë për Policinë e Shtetit dhe për ju të sapodiplomuar. Një model i ri formimi ka nisur të ndërtojë të ardhmen në Policinë shqiptare”, deklaroi ai.
Sipas kryepolicit, studentët e diplomuar mbartin jo vetëm përvojën e terrenit, por edhe formimin akademik, duke përfaqësuar një brez që mbyll një cikël dhe hap një etapë të re në sistemin e edukimit policor.
Në mesazhin drejtuar efektivëve të rinj, Hita u ndal veçanërisht te rëndësia e integritetit dhe raportit me qytetarët.
“Integriteti duhet të jetë busulla juaj morale dhe ligjore. Nëse humbisni busullën, do të humbisni rrugën”, u shpreh ai.
Në fund të fjalës së tij, drejtori i Policisë së Shtetit apeloi që uniforma të përfaqësojë nder dhe shërbim ndaj publikut.
“Të jeni të ashpër me krimin, por të përulur me qytetarin”, përfundoi Hita.
