Artan Hoxha: Ervis Martinaj është vrarë dhe i është zhdukur kufoma, pas ngjarjes qëndron struktura më e madhe kriminale në vend

Data

Gazetari Artan Hoxha ka bërë deklarata të forta lidhur me fatin e Ervis Martinaj, duke thënë se ai është vrarë dhe kufoma e tij është zhdukur nga struktura të fuqishme kriminale.

Në një intervistë televizive, Hoxha deklaroi se këtë bindje ia ka shprehur edhe familjes së Martinajt.

“Nuk merrem me spekulime. Unë do them atë që kam thënë gjithmonë: ky njeri është vrarë dhe është zhdukur kufoma”, u shpreh gazetari.

Sipas tij, familja e Martinajt është në dijeni të dyshimeve dhe ka kërkuar vazhdimisht përgjigje nga institucionet.

“Ia kam thënë edhe familjes së vet. Është një gjë që e kam diskutuar edhe me babain e Ervis Martinaj në shtëpi të vet”, tha Artan Hoxha.

Hoxha shtoi se personat që qëndrojnë pas zhdukjes së Martinajt përfaqësojnë, sipas tij, “strukturën më të madhe kriminale në vend”.

“Ata që kanë zhdukur Ervis Martinajn sot janë struktura më e madhe kriminale në vend”, deklaroi ai.

Gazetari përmendi edhe emrin e Ergys Agasi, për të cilin pretendoi se ka pasur rol koordinues me grupet kriminale, megjithëse këto deklarata mbeten akuza publike të pa konfirmuara nga drejtësia.

Ai kritikoi gjithashtu mënyrën se si po trajtohet çështja nga institucionet ligjzbatuese dhe përmendi faktin se ekzistojnë dy hetime paralele për rastin.

“Sot kemi dy hetime: një hetim për vrasje dhe një tjetër ku rezulton person në kërkim”, tha Hoxha.

Gazetari kujtoi edhe arrestimin e ish-efektivit të policisë Jeton Lami, i konsideruar si personi i fundit që ka pasur kontakt me Martinajn.

“Familja priste që ky person të tregonte diçka”, deklaroi ai.

Në fund, Hoxha akuzoi institucionet për mungesë transparence dhe kërkoi zbardhjen e plotë të një prej çështjeve më të diskutuara kriminale në Shqipëri vitet e fundit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related