Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar Taiwan të mos ndërmarrë hapa drejt shpalljes zyrtare të pavarësisë nga China, pas samitit dyditor me presidentin kinez Xi Jinping në Pekin.
“Nuk dua që dikush të shpallet i pavarur”, deklaroi Trump, duke lënë të kuptohet se administrata amerikane po ndjek një qasje më të kujdesshme ndaj çështjes së Tajvanit.
Presidenti amerikan theksoi se nuk dëshiron përshkallëzim të tensioneve me Kinën dhe se synimi i tij është shmangia e një konflikti.
“Nuk dua luftë. Dua që gjërat të qetësohen dhe Kina të qetësohet”, tha Donald Trump në një intervistë për Fox News.
Gjatë kthimit në Uashington, Trump u shpreh se kishte diskutuar gjerësisht me Xi Jinping për Tajvanin, por shmangu të japë një përgjigje të drejtpërdrejtë nëse SHBA do ta mbronte ushtarakisht ishullin në rast konflikti.
Sipas mediave shtetërore kineze, Xi i ka bërë të qartë presidentit amerikan se çështja e Tajvanit mbetet tema më e ndjeshme në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe se një menaxhim i gabuar mund të çojë në përplasje.
Trump deklaroi se nuk beson në mundësinë e një lufte mes SHBA-së dhe Kinës për Tajvanin.
“Nuk mendoj se do të ketë luftë. Xi nuk dëshiron luftë”, u shpreh ai.
Ndërkohë, China ka shtuar vitet e fundit stërvitjet ushtarake rreth Taiwan, duke rritur tensionet në rajon.
Administrata amerikane kishte njoftuar më herët edhe një paketë armësh me vlerë 11 miliardë dollarë për Tajvanin, përfshirë sisteme raketore të avancuara, vendim që shkaktoi reagime të forta nga Pekini.
Trump tha se ende nuk ka marrë një vendim për vazhdimin e shitjes së armëve dhe shtoi se fillimisht do të konsultohet me presidentin tajvanez Lai Ching-te.
