Deputeti socialist Erion Braçe ka folur hapur për situatën politike dhe problematikat e kryeqytetit, duke deklaruar se nuk do të mbështesë asnjë kandidat për Bashkinë e Tiranës që nuk del nga një proces demokratik brenda Socialist Party of Albania.
I ftuar në një emision televiziv, Braçe theksoi se gara e brendshme është kusht për legjitimitetin e kandidaturave.
“Unë mbështes çdo kandidat që del nga një proces demokratik, por nuk jam gati të mbështes një kandidat që nuk del nga një proces demokratik brenda PS-së”, deklaroi ai.
Deputeti socialist shtoi se largimi nga parimet demokratike do të sillte edhe largimin nga qytetarët.
“Nuk shkel mbi parime me të cilat PS është ndërtuar. Largimi nga ato parime është largimi nga njerëzit”, u shpreh Erion Braçe.
Braçe u ndal edhe te situata aktuale në Tiranë, duke deklaruar se qyteti po përballet me probleme serioze në qeverisje dhe shërbime publike. Ai kritikoi gjendjen e pastërtisë dhe mënyrën e administrimit të kryeqytetit.
“Tirana sot lë shumë për të dëshiruar, duke nisur nga pastërtia. Pastërtia nuk funksionon”, tha ai.
Në këtë kontekst, Braçe pati kritika edhe për Anuela Ristani, për të cilën tha se duhet të tregojë më shumë qetësi në komunikim publik.
“E kuptoj irritimin e zonjës që është në Bashkinë e Tiranës, por duhet të ulë tonet”, deklaroi deputeti socialist.
Ai shtoi se Tirana ka humbur fokusin tek qytetarët dhe shërbimet bazë, ndërsa ngriti shqetësimin për zhvillimin urban dhe ekonomik të qytetit.
“Tirana deri diku nuk është e jetueshme për klasën e mesme. Ndërtimet pafund nuk janë zhvillim, as ekonomik dhe as urban”, përfundoi Braçe.
