Ish-ministrja e Integrimit, Klejda Gjosha, është shprehur skeptike për rezolutën e miratuar në Kuvend nga mazhoranca dhe opozita lidhur me procesin e integrimit europian të Albania.
E ftuar në një studio televizive, Gjosha deklaroi se dokumenti nuk pritet të sjellë ndryshime reale, ndërsa kritikoi përmbajtjen dhe mënyrën e hartimit të tij.
“Besoj se nuk do të sjellë ndonjë ndryshim madhor. Kur lexoj rezolutën, është me fjalor fëmijëror”, u shpreh ajo.
Sipas ish-ministres, rezoluta do të kishte më shumë vlerë nëse do të përfshinte masa konkrete kundër korrupsionit dhe praktikave klienteliste në prokurimet publike.
“Rezoluta do të kishte vlerë nëse do t’i jepej fund tenderave pa garë”, deklaroi Gjosha.
Ajo theksoi se dialogu politik në vend ka munguar prej vitesh dhe nuk mund të zëvendësohet me një marrëveshje të momentit në Kuvend.
“Ka pasur nevojë për dialog politik shumë më përpara dhe jo të çohemi një mëngjes dhe të shohim një rezolutë në Kuvend”, tha ajo.
Gjosha kritikoi edhe formulimet që lidhen me raportin mazhorancë-opozitë, duke argumentuar se respektimi i rolit të opozitës nuk duhet të paraqitet si zotim politik, por si detyrim kushtetues dhe demokratik.
“Nuk mund të zotohemi për diçka që e kemi brenda detyrimit ligjor, kushtetues dhe moral”, u shpreh ajo.
Ish-ministrja shtoi se një sinjal më i fortë për partnerët europianë do të ishte adresimi i çështjeve konkrete që lidhen me sundimin e ligjit, imunitetin dhe luftën kundër korrupsionit.
