Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka denoncuar mënyrën e menaxhimit të prokurimeve publike dhe koncesioneve në Shqipëri, duke deklaruar se ekonomia shqiptare po funksionon mbi një model klientelist dhe jo mbi konkurrencën e lirë.
Në një reagim publik, Tabaku u shpreh se aktualisht në Shqipëri janë tenderuar rreth 2.2 miliardë euro në koncesione, ndërsa rreth 1 miliard euro prej tyre janë nën hetim për korrupsion.
Sipas saj, një pjesë e konsiderueshme e këtyre projekteve janë miratuar përmes ligjeve speciale në Kuvend, duke shmangur garën dhe standardet normale të tregut.
“Ky është një sistem që shpërndan pasurinë publike në duart e një pakice, pa garë, pa transparencë dhe pa meritokraci”, deklaroi Tabaku.
Deputetja e opozitës theksoi gjithashtu se situata në prokurimet publike mbetet problematike, pasi sipas saj “1 në 2 tendera jepen pa garë”.
Ajo shtoi se edhe në rastet kur zhvillohet procedurë konkurruese, rreth 60% e fondeve publike përfundojnë te vetëm 20 kompani.
Për Jorida Tabaku, ky është tregues i qartë i përqendrimit të tregut dhe kapjes së shtetit nga interesa të lidhura me pushtetin.
Deputetja solli edhe krahasimin me vendet e rajonit, duke përmendur se në Serbi rreth 97% e tenderëve zhvillohen me garë, ndërsa Shqipëria, sipas saj, mbetet larg standardeve minimale të konkurrencës dhe transparencës.
