Sekretari i Përgjithshëm i Partia e Lirisë, Tedi Blushi, deklaroi se autoritetet amerikane kanë rrëzuar zyrtarisht akuzën për lobim të paligjshëm ndaj kreut të partisë, Ilir Meta, ndërsa akuzoi SPAK-un se ka mbajtur të fshehtë përgjigjen për muaj me radhë.
Në një konferencë për mediat, Blushi tha se akuza për një lobim prej 1 milion dollarësh për një takim me presidentin amerikan Donald Trump është “rrëzuar zyrtarisht”.
Sipas tij, historia nisi me një artikull të publikuar në vitin 2018 nga revista Mother Jones, ku pretendohej se Meta kishte paguar 1 milion dollarë për një foto me Trump, përmes kompanisë “Dorelita”.
Blushi pretendoi se më pas e njëjta çështje u riciklua në media të tjera ndërkombëtare dhe u përdor si bazë për kallëzimin në SPAK nga ish-deputeti Halit Valteri.
Ai deklaroi se SPAK i kishte dërguar letërporosi autoriteteve amerikane në vitin 2022, ndërsa përgjigjja zyrtare e ardhur më 15 nëntor 2024, sipas tij, konfirmon se nuk ekziston lidhje mes pagesave të kryera nga kompania “Taliadoros” dhe Lëvizja Socialiste për Integrim apo Ilir Metës.
“Pra nuk ka ekzistuar kurrë asnjë lobim i paligjshëm i Z. Meta dhe as pagesë prej 1 milion dollarësh”, deklaroi Blushi.
Ai shtoi se, sipas dokumenteve të paraqitura, pagesa e vetme e ligjshme e lidhur me kompaninë “McKeon Group” ishte një shumë prej 15 mijë dollarësh.
Blushi akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama dhe ish-zyrtarin amerikan Charles McGonigal për, sipas tij, manipulim të opinionit publik dhe ndërtim të një akuze politike ndaj Metës.
Sipas tij, përgjigjja e autoriteteve amerikane është mbajtur e fshehtë deri në momentin kur Metës iu komunikua marrja si i pandehur.
Në përfundim, Blushi deklaroi se të gjitha akuzat ndaj Ilir Metës do të rrëzohen, pasi sipas tij janë ndërtuar mbi “manipulime dhe pretendime të paqëndrueshme”.
