Klevis Balliu: Raporti për integrimin ishte propagandë, problemi kryesor për BE-në është Edi Rama

Data

Deputeti i Partia Demokratike, Klevis Balliu, deklaroi se raporti i mazhorancës për integrimin europian ishte “propagandë e radhës”, ndërsa theksoi se opozita arriti të fusë në projekt-rezolutë shqetësimet kryesore për demokracinë dhe shtetin ligjor në Shqipëri.

Në një lidhje televizive, Balliu u shpreh se mazhoranca pranoi shumicën e propozimeve të opozitës për shkak të presionit ndërkombëtar.

“Raporti ishte propagandë e radhës dhe për këtë arsye ne propozuam që të kishte një projekt-rezolutë, ku të merreshin parasysh edhe argumentet e opozitës. Të jemi të sinqertë, nuk prisnim që mazhoranca do ta mbështeste, por qartazi presioni i Komisionit Europian i ka detyruar që të pranojnë 90% të propozimeve”, deklaroi Balliu.

Sipas tij, në rezolutë janë përfshirë çështje që lidhen me demokracinë e brendshme, zgjedhjet dhe raportet ndërkombëtare për Shqipërinë.

“Falë propozimeve të opozitës, aty sot keni edhe problemet me demokracinë e brendshme në Shqipëri, problemet e zgjedhjeve apo raportin e OSBE/ODIHR-it”, u shpreh deputeti demokrat.

Balliu përmendi gjithashtu edhe çështjen e AKSHI dhe shqetësimet për sigurinë kombëtare.

“Pjesë e raportit është edhe çështja e AKSHI-t dhe mungesa e sigurisë kombëtare në Shqipëri. Të gjitha këto u futën në projekt-rezolutë dhe qeveria, nga presioni ndërkombëtar, është detyruar t’i pranojë”, tha ai.

Në vijim, Balliu deklaroi se shtyrja e raportit IBAR lidhet me shqetësimet e vendeve të Bashkimit Europian për korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri.

“Mos të harrojmë që 4-5 ditë më parë, 9 vende të BE-së kanë ngritur sërish pyetje në lidhje me drejtësinë, korrupsionin dhe krimin e organizuar, prandaj u shty raporti i IBAR-it. Problemi nuk janë anëtarët e BE-së, por është Edi Rama”, përfundoi ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related