Deputeti i Partia Demokratike, Belind Këlliçi, deklaroi se opozita do të vijojë aksionin protestues në ditët në vijim, ndërsa e cilësoi korrupsionin si “gangrenën më të madhe” në Shqipëri.
Në një dalje televizive, Këlliçi tha se qëndrimi i opozitës nuk do të ndryshojë dhe se shumë shpejt pritet të njoftohet protesta e radhës.
“Nuk ndryshon fare qëndrimi i opozitës. Opozita do vijojë, besoj nesër apo në ditët në vijim, të njoftojë protestën e radhës”, u shpreh ai.
Sipas deputetit demokrat, fokusi kryesor i opozitës do të mbetet denoncimi i korrupsionit, standardeve demokratike dhe funksionimit të institucioneve të drejtësisë.
“Pa diskutim, aktiviteti denoncues dhe retorika e opozitës do vijojë të jetë ajo që ka qenë: narkoshteti, standardet, drejtësia e kapur, sa e rëndësishme është që ne të kemi institucione të pavarura”, deklaroi Këlliçi.
Ai shtoi se beteja kundër korrupsionit është thelbësore për vendin.
“E gjithë beteja që ne bëjmë me korrupsionin, që është sot gangrena më e madhe në vend”, përfundoi Belind Këlliçi.
