Gazetari Artan Hoxha ka komentuar vendimin e Apelit të GJKKO për rikthimin në burg të ish-ministrit Lefter Koka lidhur me çështjen e inceneratorit të Tiranës.
I ftuar në një emision televiziv, Hoxha ngriti pikëpyetje mbi mënyrën si janë trajtuar dosjet e inceneratorëve dhe mënyrën e përllogaritjes së dënimeve.
Sipas tij, në opinionin publik është krijuar ideja sikur janë dënuar disa ministra për inceneratorë të ndryshëm, ndërsa në fakt bëhet fjalë për të njëjtin person.
“Ne raportojmë që kemi dënuar tre ministra për tre inceneratorë, por në fakt është i njëjti. Laj e thaj, është Lefter Koka”, u shpreh gazetari.
Hoxha kritikoi gjithashtu faktin që, sipas tij, hetimet nuk kanë shkuar më tej për të identifikuar përfituesit realë të aferës së inceneratorit të Tiranës.
“Aty janë rreth 60 milionë euro dhe dihet qartë kush i ka marrë. Pse nuk hetohet më tej?”, tha ai.
Gazetari komentoi edhe mënyrën se si Apeli interpretoi kohën e paraburgimit të Kokës, duke theksuar se gjykata ndryshoi mënyrën e llogaritjes së dënimit.
Sipas tij, Gjykata e Apelit vendosi që periudha e qëndrimit në burg të mos llogaritej më si paraburgim për efekt përfitimi, por si burgim i zakonshëm, çka solli zgjatjen e vuajtjes së dënimit edhe me gjashtë muaj të tjerë.
Në fund të reagimit të tij, Hoxha dha edhe një mesazh të fortë për ish-ministrin.
“Erdhi dita që s’ke pse i fal më, se s’po të falin asnjë”, deklaroi ai.
