Sali Berisha sulmon mazhorancën për procesin e integrimit: “E keni kthyer në hipokrizi, po e bazoni në mashtrime dhe fshehje të së vërtetës”

Data

Kreu i Partia Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar mazhorancën se po e zhvillon procesin e integrimit europian mbi “mashtrime, manipulime dhe censurë”, ndërsa e cilësoi qeverinë si pengesën kryesore të Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimi Europian.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Berisha deklaroi se ekziston një dallim i madh mes opozitës dhe qeverisë në qasjen ndaj integrimit europian.

“Ju e ndërmerrni këtë proces të bazuar në mashtrime, manipulime, censurë, fshehje të të vërtetave. Ky është dallimi që ekziston mes nesh dhe jush,” tha ai.

Berisha u shpreh se opozita kishte paralajmëruar më herët se Shqipëria nuk plotësonte kriteret e nevojshme për integrim, përveç atij që ai e quajti “kriter gjeopolitik”.

Sipas tij, zhvillimet e muajve të fundit kanë konfirmuar shqetësimet e ngritura nga opozita për korrupsionin dhe kapjen e institucioneve.

“Ky 5-mujor ka qenë 5-mujori i interesit maksimal dhe i debateve më intensive në Bruksel për Shqipërinë,” deklaroi kreu i PD-së.

Ai akuzoi mazhorancën për mbrojtje politike të Belinda Balluku, duke pretenduar se kjo çështje ka dëmtuar seriozisht raportet e Shqipërisë me partnerët europianë.

“Ju që flisni sot për integrimin, o hipokritë, a nuk jeni ju që votuat për Lubi Ballukun?” u shpreh Berisha.

Kreu i opozitës përmendi gjithashtu raportin e IBAR-it, për të cilin tha se ai kundërshton idetë për integrim gradual ose me të drejta të kufizuara, që sipas tij janë promovuar nga Edi Rama dhe Aleksandar Vučić.

“Raporti dënon letrën famëzezë të Ramës dhe Vuçiçit që kërkoi integrim jashtë kushteve demokratike,” deklaroi ai.

Berisha kritikoi edhe mënyrën se si janë zhvilluar zgjedhjet e 11 majit, duke pretenduar se institucionet shtetërore janë përdorur në funksion të mazhorancës.

“Zgjedhjet e 11 majit ishin zgjedhje në të cilat institucionet e shtetit u shkrinë me strukturat partiake,” tha ai.

Në fund të fjalës së tij, kreu demokrat akuzoi qeverinë se nuk ka respektuar detyrimin ligjor për të raportuar periodikisht në Kuvend mbi ecurinë e integrimit.

“Jeni ju pengesa kryesore e shqiptarëve në integrim. Armiqtë e vërtetë të integrimit jeni ju që vidhni shqiptarët,” përfundoi Berisha.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related