Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për korrupsion dhe keqpërdorim të fondeve publike, duke theksuar se këto praktika po dëmtojnë rëndë perspektivën europiane të Shqipërisë.
Në deklaratën e tij, Berisha u ndal veçanërisht te ajo që e cilësoi si “skandali i Belinda Balluku”, si dhe te roli i AKSHI, që sipas tij funksionon si një strukturë në shërbim të interesave të kryeministrit.
Ai pretendoi se për të mbrojtur këto afera, qeveria ka ndërmarrë iniciativa ligjore dhe praktika që, sipas tij, bien ndesh me standardet e kërkuara nga Bashkimi Europian.
Berisha deklaroi se në disa mbledhje të zhvilluara në Bruksel, ku marrin pjesë ambasadorë dhe zyrtarë të lartë, Shqipëria është vlerësuar negativisht për nivelin e korrupsionit dhe mungesën e progresit në këtë drejtim. Sipas tij, këto zhvillime rrezikojnë të çojnë në masa ndëshkimore të mëtejshme ndaj vendit.
Në përfundim, lideri i opozitës theksoi se korrupsioni i nivelit të lartë dhe përfshirja e zyrtarëve dhe familjarëve në afera të dyshuara po e largojnë Shqipërinë nga rruga drejt integrimit europian.
