Edi Rama ka komentuar zhvillimet dhe debatet e fundit brenda Partisë Socialiste, duke folur për raportet me Elisa Spiropali dhe Erion Braçe, dy nga emrat më të përfolur javët e fundit në kampin socialist.
Në një intervistë për “Koha Jonë”, Rama u ndal fillimisht te Braçe, për të cilin tha se ka qenë gjithmonë i njëjtë në qëndrimet dhe stilin e tij politik.
“Braçja ka qenë ai që është dhe do mbetet ky që është. Është ekzaktësisht një njeri që është vetvetja dhe s’ka asgjë për t’u çuditur. Kush përpiqet ta imitojë, bën gabim”, deklaroi kreu i qeverisë.
I pyetur më pas për raportin me Elisa Spiropali dhe nëse ajo rrezikon përjashtim nga partia pas deklaratave të saj publike, Rama minimizoi tensionet, duke thënë se situata nuk duhet dramatizuar.
“Kush thotë ‘hajde, këtu më ke, më vrit’, e thotë ngaqë të do apo jo? Nuk duhen marrë literalisht këto gjëra”, u shpreh ai.
Megjithatë, Rama la të kuptohet se brenda PS ekzistojnë disa “vija të kuqe” që nuk duhen kaluar, edhe pse nuk i specifikoi konkretisht.
“Çdo njeri mund të gabojë. Kush ka dhënë kontribute mund të gabojë edhe herën e dytë, e treta pastaj e ndan”, tha ai, duke sugjeruar se kontributet politike ndikojnë në mënyrën se si trajtohen mosmarrëveshjet brenda partisë.
Debati u ndez pasi gazetari Nikoll Lesi përmendi statuset dhe qëndrimet kritike të Spiropalit, si edhe rezervat e Braçes ndaj emrave të caktuar brenda qeverisë, duke pyetur nëse “kazani” brenda selisë rozë kishte nisur të ziente.
Pavarësisht spekulimeve për tensione apo fraksione të brendshme, Edi Rama insistoi se zhvillime të tilla janë normale për një forcë politike të madhe, për sa kohë nuk preken kufijtë që ai i konsideron të papranueshëm.
