Ilda Zhulali ka akuzuar qeverinë shqiptare se po dëmton procesin e integrimit europian përmes mbrojtjes politike ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Në një intervistë televizive, Zhulali deklaroi se çështja Balluku është kthyer në një test kritik për Shqipërinë në raport me Bashkimi Europian dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.
Sipas saj, shqetësimet e vendeve anëtare të BE-së nuk lidhen vetëm me një individ, por me mënyrën sesi funksionojnë institucionet shqiptare në hetimin dhe ndëshkimin e korrupsionit.
“Ata kërkojnë të shohin si funksionon sistemi, nga menaxhimi i fondeve publike deri te hetimi dhe ndëshkimi i korrupsionit. Problemi është edhe mburoja politike që i krijohet deri në fund”, u shpreh ajo.
Zhulali iu referua edhe diskutimeve të fundit në strukturat europiane për raportin IBAR të Shqipërisë, duke theksuar se disa shtete anëtare kanë ngritur rezerva serioze për zhvillimet në vend.
Ajo përmendi gjithashtu raportime dhe analiza ndërkombëtare që, sipas saj, lidhin çështjen Balluku me dyshime për keqmenaxhim të fondeve europiane në projekte infrastrukturore.
“Nëse në Shqipëri këto kalojnë pa përgjegjësi, Bashkimi Europian kërkon llogari për fondet e veta dhe kërkon ndëshkimin e autorëve”, deklaroi Zhulali.
Në fund, ajo tha se kryeministri Edi Rama ndodhet përballë një zgjedhjeje politike mes ruajtjes së pushtetit dhe procesit të integrimit europian.
“Jemi në momentin e kurbanit. Rama duhet të zgjedhë mes mbipushtetit të tij dhe anëtarësimit në BE. Njërën prej tyre do ta sakrifikojë”, u shpreh ajo.
