Autoriteti Rrugor Shqiptar ka çelur një tjetër procedurë prokurimi për autostradën Tiranë-Durrës, këtë herë për përmirësimin estetik dhe gjelbërimin e segmentit nga sheshi Shqiponja deri te nënkalimi i Limuthit.
Kontrata ka si objekt “Plotësim i punimeve dhe përmirësimi estetik nga sheshi Shqiponja deri te nënkalimi i Limuthit”, ndërsa fondi limit është përcaktuar në 1.31 miliardë lekë, ose rreth 13.7 milionë euro.
Ndërhyrja ishte paralajmëruar edhe më herët gjatë një inspektimi në terren ku ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama. Projekti synon të përmirësojë pamjen vizuale të autostradës, pjesa e parë e së cilës tashmë është hapur për qarkullim me katër korsi.
Sipas dokumenteve të tenderit, projekti përfshin:
- mbushje me dhe vegjetal;
- mbjellje bari;
- mbjellje shkurresh dekorative;
- mbjellje pemësh dekorative;
- ndërtim të impiantit të ujitjes automatike për sipërfaqet e gjelbëruara.
Dokumentacioni teknik parashikon që sipërfaqja totale e gjelbërimit të jetë rreth 65 mijë metra katrorë. Trafikndarësja qendrore do të ketë një gjatësi prej 7,050 metrash linearë dhe gjerësi 1.8 metra, ku do të mbillen shkurre dekorative.
Ndërkohë, në anët e autostradës, nga barrierat deri te kanalet kulluese, në të dy drejtimet e rrugës, parashikohen pemë dhe shkurre dekorative në një gjatësi rreth 6 mijë metrash linearë.
Projekti përfshin gjithashtu instalimin e një sistemi automatik ujitjeje me monitorim dhe kontroll në distancë, si dhe dokumente shtesë për ndriçimin e nyjës së Laknasit dhe disa mbikalimeve këmbësorësh përgjatë aksit.
