Presidenti i Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deklaroi se Uashingtoni nuk ka nevojë për ndihmën e Kina për t’i dhënë fund konfliktit me Iranin, ndërsa u nis drejt Pekinit për një vizitë shtetërore dhe takime me presidentin Xi Jinping.
“Nuk mendoj se kemi nevojë për ndonjë ndihmë me Iranin”, u tha Trump gazetarëve para nisjes, duke shtuar se SHBA “do ta fitojë luftën në një mënyrë ose në një tjetër”.
Megjithatë, presidenti amerikan dha sinjale të përziera lidhur me rëndësinë që do të ketë çështja iraniane në bisedimet me Xi Jinping.
“Do të flasim gjatë për këtë. Mendoj se ai ka qenë relativisht i mirë, për të qenë i sinqertë me ju”, tha Trump, duke shtuar se ka shumë tema për diskutim mes dy vendeve. “Nuk do të thoja që Irani është tema kryesore, sepse e kemi Iranin shumë nën kontroll.”
Trump theksoi gjithashtu se vendimmarrja e tij nuk ndikohet nga aspektet ekonomike apo gjendja financiare e amerikanëve.
“Mendoj vetëm për një gjë: nuk mund ta lejojmë Iranin të ketë armë bërthamore. Kjo është e vetmja gjë që më motivon”, deklaroi ai.
Sipas axhendës zyrtare, Trump pritet të mbërrijë në Pekin mbrëmjen e së mërkurës, ku fillimisht do të marrë pjesë në ceremoninë e pritjes. Të enjten ai do të marrë pjesë në një banket shtetëror, ndërsa të premten do të zhvillojë një drekë pune me Xi Jinping, përpara rikthimit në SHBA.
Kjo është vizita e dytë e Trump në Kinë si president dhe e para që prej nisjes së mandatit të tij të dytë në janar 2025.
