Ervin Salianji sulmon Sali Berishën pas përjashtimit nga gara për kreun e PD: Partia po kthehet në pronë private

Data

Ish-deputeti i Partia Demokratike, Ervin Salianji, ka ashpërsuar tonet ndaj kreut të PD-së Sali Berisha, pas përjashtimit të tij nga gara për drejtimin e partisë.

Në një intervistë për gazetën “SOT”, Salianji e cilësoi vendimin për skualifikimin e tij si një akt kundër demokracisë së brendshme dhe garës së lirë në parti.

“Ky nuk është vendim kundër meje, është vendim kundër garës, kundër demokracisë”, deklaroi ai, duke shtuar se sipas tij “me votë e mund Sali Berishën”.

Salianji kritikoi faktin që Berisha mbeti kandidati i vetëm në garën për kryetar të PD-së, duke e quajtur procesin “ceremoni emërimi” dhe jo një garë reale demokratike.

Ai hodhi akuza edhe për mënyrën sesi, sipas tij, po drejtohet partia, duke pretenduar se vendimmarrja është përqendruar në një rreth të ngushtë dhe se opozita po humbet besimin e qytetarëve.

Në intervistë, Salianji iu përgjigj edhe akuzave për lidhje me grupe kriminale, të artikuluara më herët nga eksponentë të PD-së. Ai i mohoi kategorikisht këto pretendime dhe i cilësoi si sulme politike ndaj tij.

“Janë shpifje të ulëta dhe të dëshpëruara. Unë kam denoncuar krimin dhe kam paguar kosto për këtë”, u shpreh ish-deputeti demokrat.

Po ashtu, Salianji sfidoi publikisht Berishën që të publikojë dokumente dhe prova konkrete lidhur me dosje që ai pretendon se përfshijnë emra të rëndësishëm.

Ai ngriti gjithashtu dyshime për atë që e quajti “heshtje selektive” të opozitës ndaj çështjeve të caktuara, duke lënë të kuptohet se ekzistojnë interesa dhe pazare politike brenda kampit opozitar.

Në fund të intervistës, Salianji deklaroi se nuk do të tërhiqet nga beteja politike dhe se do të vijojë përpjekjet për, sipas tij, rikthimin e garës dhe demokracisë në PD.

Deklaratat e tij vijnë në një moment tensioni të shtuar brenda opozitës, ndërsa Partia Demokratike po përballet me debate të forta për drejtimin dhe organizimin e saj të brendshëm.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related