Arkitektja dhe urbanistja Doriana Musai ka ngritur shqetësime mbi zhvillimin urban dhe çmimet e larta të apartamenteve në Tirana, duke deklaruar se standardet reale të jetesës nuk përputhen me vlerat marramendëse të tregut imobiliar.
E ftuar në një studio televizive, Musai foli për mungesën e sigurisë dhe standardeve në disa prej ndërtesave moderne, pavarësisht kostove të larta të ndërtimit dhe shitjes së tyre.
“Ne kemi parë për shembull dy vitet e fundit dy objekte shumë të reja, shumë të kushtueshme që ka marrë flakë fasadat. Dhe njësoj sikur do t’i binte flaka një objekti që është 70-vjeçar. Pra me të njëjtën pakujdesi ndaj sigurisë dhe jetës së njeriut”, tha ajo.
Sipas urbanistes, qytetarët që paguajnë 4 apo 5 mijë euro për metër katror nuk marrin domosdoshmërisht kushte më të mira jetese apo shërbime urbane cilësore.
“Kemi objekte që mund të kushtojnë 4 apo 5 mijë euro metri, por kanë afërsinë me kanalin e ujërave të zeza që është Lana. Kjo nuk është vlera e objektit. Tregon që këtu vlera është totalisht jashtë nocionit të urbanitetit”, deklaroi Musai.
Ajo theksoi se tregu i pasurive të paluajtshme po funksionon jashtë logjikës normale urbane, ndërsa çmimet po ndikohen edhe nga kostot e larta që rëndojnë mbi ndërtuesit, përfshirë taksat e infrastrukturës dhe pagesat për studio të huaja arkitekturore.
Sipas Musait, këto kosto transferohen drejtpërdrejt tek qytetarët, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë përballimin e një banese në kryeqytet.
