Ish-deputeti i Partia Demokratike, Ervin Salianji, ka lëshuar akuza të forta ndaj kreut të partisë, Sali Berisha, duke deklaruar se ai po përdor PD-në për interesa personale dhe se nuk mund ta çojë opozitën drejt fitores.
Në një intervistë televizive, Salianji u shpreh i bindur se në një garë të hapur do ta mundte Berishën për drejtimin e partisë.
“Me garë unë e mund Sali Berishën. Sot ka pakënaqësinë deri në urrejtje të 80 % të demokratëve”, deklaroi ai.
Salianji komentoi edhe përjashtimin e tij nga gara për kryetar të PD-së, duke kërkuar transparencë mbi vendimmarrjen.
“Përse nuk ka një vendim? Cila është arsyeja që jam skualifikuar? Unë nuk do t’i lë, do vazhdoj”, tha ai.
Sipas ish-deputetit demokrat, mënyra se si u trajtua përjashtimi i tij ndikoi negativisht edhe në mobilizimin e protestave të opozitës.
“Përjashtimi që më bëri mua nga gara dhe mënyra se si e trajtoi, solli që në protestë të ishin aq pak veta”, u shpreh Salianji.
Ai shtoi gjithashtu se Berisha ndodhet në vështirësi për shkak të çështjeve të tij me drejtësinë.
“Berisha ka shumë probleme me drejtësinë… Me Berishën PD nuk fiton as sot dhe as kurrë”, përfundoi Salianji.
