Marrëveshja për projektin “Marina & Jahtet e Durrësit” ka rikthyer debatet mbi mënyrën se si u dha për zhvillim një nga asetet më të rëndësishme strategjike të vendit, Porti i Durrësit.
Sipas dokumenteve dhe vendimeve të cituara, zanafilla e këtij projekti daton që në vitin 2015, kur qeveria shqiptare miratoi një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve.
Më pas, në vitin 2020, Kuvendi ratifikoi marrëveshjen për bashkëpunimin ekonomik mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, ku si projekt strategjik u përfshi edhe rizhvillimi i Portit të Durrësit.
Në bazë të kësaj marrëveshjeje, projektet strategjike të dakordësuara mes palëve nuk i nënshtrohen prokurimit publik, tenderit publik apo procedurave konkurruese të parashikuara në legjislacionin shqiptar.
Në vitin 2021, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, me firmë të kryeministrit Edi Rama, i dha statusin e investitorit strategjik projektit “Marina & Jahtet e Durrësit”. Projekti parashikohej të zhvillohej në një sipërfaqe rreth 79 hektarë në zonën e Portit të Durrësit.
Në fund të vitit 2021, qeveria kaloi mbi 80 hektarë tokë të Portit të Durrësit te Ministria e Financave, me qëllim vënien e pronës në dispozicion të investitorit. Më pas, në korrik 2022, statusi i investitorit strategjik për projektin u zgjat nga 7 në 15 vite.
Në vitin 2022, Kuvendi miratoi marrëveshjen kuadër mes qeverisë shqiptare dhe kompanive të lidhura me projektin, përfshirë “Eagle Hills Real Estate Development” dhe “Albanian Seaports Development Company”.
Sipas marrëveshjes, shoqëria e përbashkët për realizimin e projektit përjashtohet nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë dhe kontributit për strehimin social. Këto detyrime konsiderohen pjesë e kontributit të shtetit shqiptar në investim.
Në dokumentet e cituara theksohet se kostoja totale e projektit është parashikuar në mbi 2 miliardë euro, e ndarë në dy faza. Megjithatë, sipas analizës së publikuar, investimet e kryera deri tani janë shumë më të ulëta se shifra e premtuar fillimisht.
Në padinë e opozitës në Gjykatën Kushtetuese, u pretendua se projekti shoqërohet me kosto të mëdha për shtetin shqiptar. Sipas të dhënave të cituara në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kontributi i shtetit përmes tokës, përjashtimeve fiskale dhe kostove të tjera arrin në qindra milionë euro.
Gjykata Kushtetuese e rrëzoi kërkesën e opozitës më 21 shkurt 2025, duke e lënë në fuqi ligjin për marrëveshjen.
