“Protagonist i një skandali”, Këlliçi sulmon Ferit Hoxhën: Ministri i Jashtëm të japë shpjegime për gafat diplomatike

Data

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër ndaj ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, pas deklaratës së këtij të fundit për marrëveshjen Shqipëri-Itali mbi emigrantët.

Në një reagim publik, Këlliçi e akuzoi kryediplomatin shqiptar për arrogancë dhe papërgjegjshmëri, duke thënë se deklaratat e tij po krijojnë incidente diplomatike dhe paqartësi politike.

“Kur një ministër i Jashtëm detyrohet çdo javë të japë sqarime për atë që thotë apo bën, kemi të bëjmë me një problem serioz”, shkroi Këlliçi.

Sipas deputetit demokrat, deklarata e Hoxhës se marrëveshja pesëvjeçare me Italinë për emigrantët mund të mos rinovohet, ishte një gafë diplomatike që më pas ministri u përpoq ta relativizonte duke thënë se ishte “mendim personal” dhe nxjerrë jashtë kontekstit.

Këlliçi solli në vëmendje edhe polemikat e mëparshme që përfshinë ministrin Hoxha, duke iu referuar rastit kur ai u akuzua se kishte përdorur fjalë fyese ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut në një komunikim të brendshëm.

“I njëjti ministër ishte protagonist i një skandali që asnjë kryediplomat shqiptar nuk e kishte bërë më parë”, deklaroi ai.

Deputeti demokrat tha se këto episode nuk janë rastësore, por pasojë e “fodullëkut dhe mendjemadhësisë” së zyrtarëve të qeverisë.

Sipas Këlliçit, nëse ministri do të kishte marrë përgjegjësi politike më herët, duke dhënë dorëheqjen pas polemikave të mëparshme, nuk do të ndodhte edhe incidenti i fundit me deklaratat ndaj mediave italiane.

Në fund të reagimit të tij, Këlliçi paralajmëroi se incidente të tjera mund të pasojnë nëse, sipas tij, nuk ndryshon mënyra e komunikimit dhe përgjegjshmëria e ministrit të Jashtëm.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related