SPAK çon për gjykim “Visin e Pojës” dhe 23 persona të tjerë, akuzohen për trafik ndërkombëtar kokaine dhe pastrim parash

Data

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 24 persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Dosja lidhet me procedimin penal nr. 36 të vitit 2019 dhe është dërguar për shqyrtim në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Mes të pandehurve ndodhen Elvis Doçi, i njohur si “Visi i Pojës”, Olgert Shqevi dhe Indrit Tafili, të cilët akuzohen për trafikim narkotikësh, pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Në listën e të akuzuarve përfshihen edhe Artan Sulejmani, Nexhmedin Danaj, Orges Molla, Sueld Elezi, Genti Nderjaku alias Ekil Nderjaku, Hasan Nderjaku, Altin Morina, Emri Hysenaj, Artur Shkoza, Sokol Isteri alias Tatani, Ervin Zeqiri, Gëzim Thartori, Ledio Bardhi dhe Juxhin Drazhi, të akuzuar kryesisht për trafik narkotikësh në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Ndërsa Erind Lasku, Musa Korça, Alfred Hysa, Ligor Çombashi, Rando Aliu, Altin Pjetri dhe Edmond Çupi akuzohen për pastrim parash dhe përfshirje në organizatë kriminale.

Sipas SPAK, hetimi është zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë Antimafia të Barit në Itali, në kuadër të një Skuadre të Përbashkët Hetimore. Nga hetimet rezulton se grupi kriminal operonte nga Shqipëria dhe kishte degëzime në Itali, duke organizuar trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Të ardhurat nga aktiviteti kriminal, sipas SPAK, transportoheshin drejt Shqipërisë përmes shoferëve të autobusëve të linjave ndërkombëtare, me qëllim shmangien e kontrolleve dhe gjurmimit financiar.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu komunikime mes të dyshuarve në platformën e koduar SkyECC.

Gjatë operacionit janë sekuestruar sasi të mëdha droge në Itali dhe Holandë, përfshirë:

  • 932 kg kokainë në Reggio Calabria;
  • 2020 kg kokainë në Rotterdam;
  • 400 kg hashash në Bari;
  • dhjetëra kilogramë kokainë në Bari, Perugia, Veneto dhe Gravina.

Në total, sipas SPAK, janë sekuestruar mbi 4 milionë euro cash.

Paralelisht me hetimin penal, SPAK ka nisur edhe procedim pasuror ndaj 52 personave dhe personave të lidhur me ta. Me urdhër të GJKKO-së janë sekuestruar pasuri të shumta në Durrës dhe zona të tjera, përfshirë apartamente, njësi tregtare, ndërtesa dhe truall, me një vlerë të përllogaritur rreth 12 milionë euro.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related