Vasili sulmon SPAK-un dhe Ramën: Drejtësia është kthyer në kobure politike, përgjigjja do vijë shumë shpejt

Data

Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, ka sulmuar ashpër Prokurorinë e Posaçme dhe kryeministrin Edi Rama, duke pretenduar se drejtësia po përdoret si “kobure politike” kundër kundërshtarëve të qeverisë.

Përmes një reagimi publik, Vasili deklaroi se ndjekja penale ndaj ish-presidentit Ilir Meta është “hakmarrje mafioze dhe tribale”, pa prova dhe e diktuar politikisht nga kryeministri.

“Edhe më i ligu ndër rilindasit e Ramës e ka kuptuar se përndjekja kriminale ndaj Ilir Metës është një hakmarrje mafioze dhe tribale pa asnjë bazë, dokument, fakt apo provë”, u shpreh ai.

Sipas Vasilit, rrëzimi i një prej akuzave kryesore ndaj Metës, që lidhej me lobimin në SHBA, përbën provë se procesi është i motivuar politikisht.

“Ndërsa akuzat bien, Meta vazhdon të mbahet në burg. Edhe dje SPAK kërkoi vazhdimin e arrestit, megjithëse vetë po rrëzon akuzat”, deklaroi Vasili.

Ai ngriti një sërë pyetjesh retorike ndaj institucioneve të drejtësisë, duke akuzuar prokurorët dhe gjyqtarët për standarde të dyfishta dhe për mbrojtje të pushtetit.

“A nuk duhet të jenë në burg ata që drejtësinë e kanë kthyer në bankomat mafioz të interesave të tyre? A nuk duhet të jenë në burg ata që pushtetin e përdorin si kobure politike ndaj kundërshtarëve të Ramës?”, tha ai.

Vasili pretendoi gjithashtu se drejtësia po mbyll sytë përballë aferave korruptive të qeverisë, ndërsa sipas tij po izolon padrejtësisht Ilir Metën.

Në fund të reagimit, deputeti paralajmëroi zhvillime të afërta politike dhe juridike.

“Këto pyetje do ta marrin shumë shpejt përgjigjen dhe ngjarjet do të rrjedhin kaq shpejt sa as Rama-drejtësisë nuk ia merr mendja”, përfundoi Vasili.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related