Babai i Ervis Martinajt paraqitet në GJKKO për pasuritë e sekuestruara: I kam dhënë SPAK-ut koordinata dhe emra, nuk duan ta zbardhin zhdukjen

Data

Mustafa Martinaj, babai i Ervis Martinajt, është paraqitur për herë të dytë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të procesit për konfiskimin e pasurive të djalit të tij dhe personave të lidhur me të.

Bëhet fjalë për 34 pasuri të dyshuara si të lidhura me Ervis Martinajn, me një vlerë të përllogaritur rreth 10 milionë euro. Seanca u shty sërish për shkak të mungesës së dy avokatëve.

Pas daljes nga gjykata, Mustafa Martinaj deklaroi për mediat se nuk ka asnjë zhvillim nga autoritetet për zbardhjen e fatit të djalit të tij, i zhdukur prej më shumë se tre vitesh.

“Nuk duan ta zbardhin, prandaj e lënë në Kurbin, pasi ua kam dhënë koordinatat e sakta dhe emra konkretë”, u shpreh ai.

Sipas Martinajt, në moszbardhjen e ngjarjes kanë interes edhe ish-drejtues të policisë kriminale gjatë viteve të fundit.

“I kam thënë të gjitha në SPAK kur erdha dëshmova me kërkesën time. Askush nuk është interesuar që atëherë”, deklaroi ai.

Në tetor të vitit 2025, Mustafa Martinaj iu drejtua edhe Gjykatës së Lezhës me kërkesën që Ervis Martinaj të shpallej zyrtarisht i zhdukur, por ende nuk është marrë një vendim për këtë çështje.

Ndërkohë, për Prokurorinë e Posaçme, Ervis Martinaj konsiderohet ende i gjallë, pasi sipas SPAK nuk ekziston asnjë provë zyrtare që vërteton të kundërtën.

Ervis Martinaj rezulton gjithashtu i shpallur në kërkim ndërkombëtar me urdhër të SPAK, pas dëshmive të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili ka deklaruar se Martinaj i kishte ofruar 500 mijë euro për vrasjen e Indrit Dokles.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related