Ministrja e Shtetit dhe kryenegociatorja për integrimin europian, Majlinda Dhuka, deklaroi se qeveria shqiptare ka dorëzuar në Komisionin Europian planin e masave për çështjen e fondeve IPARD dhe tashmë pret vlerësimin nga institucionet europiane.
Gjatë raportimit në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Dhuka u ndal edhe te marrëveshjet tregtare dhe të investimeve që Shqipëria ka nënshkruar me vende të treta, duke theksuar se ato do të kalojnë në proces rishikimi në kuadër të përafrimit me standardet e Bashkimit Europian.
Diskutimi u zhvillua pas pyetjes së deputetit demokrat Enno Bozdo, i cili ngriti shqetësimin për marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe ndikimin e saj mbi konkurrencën e lirë, një nga kushtet bazë të BE-së.
“Ju bëra pyetje për marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara. Theksuat që marrëveshjet bilaterale ekonomike të investimeve duhen futur në kornizën e BE. Kjo shmang kushtin e BE, që është konkurrenca. Katër copa të Shqipërisë u janë vënë në dispozicion arabëve. Do e ndryshoni këtë marrëveshje?”, u shpreh Bozdo.
Në përgjigje, Dhuka tha se qeveria ka hartuar një plan të posaçëm për rishikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ekonomike dhe të investimeve.
“Ne kemi hartuar një plan që parashikon rishikimin e 42 marrëveshjeve. Është normale, ka ndodhur në çdo vend para se të bëhet anëtar në BE për të përafruar me politikat tregtare dhe të investimeve të BE”, deklaroi ajo.
Sipas kryenegociatores, çdo marrëveshje do të analizohet individualisht për të parë nëse bie ndesh me kuadrin europian.
“Çdo marrëveshje do të analizohet një më një. Kur të përfundojë analiza e çdo marrëveshjeje, do të kemi konstatime mbi marrëveshjet që kanë nevojë të ndryshohen apo jo”, u shpreh Dhuka.
